Është zbardhur dinamika e plotë e aksidentit të rëndë, të ndodhur mesditën e sotme në Tiranë, pranë liqenit.
Mësohet se 29-vjeçari Arjon Shanaj po lëvizte me shpejtësi me makinën e tij “Minicuper” në autostradën nga Sauku në drejtim të digës së Liqenit. Më pas ai ka humbur kontrollin dhe është përplasur me bordurën anësore.
Ai është përplasur fillimisht me pjesën metalike në të djathtë të rrugës, sapo nis ngjitja e mbikalimit dhe pastaj ka përfunduar deri te trafikndarësja, ku ka goditur një automjet tjetër që drejtohej nga Ylli Rama. Ky i fundit mësohet se fillimisht është ndaluar për ndihmë mjekësore, pasi është gjetur në vendin e ngjarjes, por më pas është lënë i lirë, pasi nuk ishte i përfshirë në aksident. Ndërkohë i riu ka marrë plagë të rënda dhe ka humbur jetën në vendngjarje.
Njoftimi i policisë:
Më datë 08.11.2023, në afërsi të liqenit artificial, automjeti me drejtues shtetasin A. Sh. dyshohet se është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin Y. R. Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën në vendngjarje, shtetasi A. Sh. (student në Akademinë e Sigurisë).
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.





