Disa shpërthime u dëgjuan mëngjesin e së martës në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev.

Një ndërtesë banimi raportohet se është qëlluar dhe djegur.

Sipas Shërbimit të Emergjencës Shtetërore, zjarri është shuar dhe një person është dërguar në spital.

Në një video-adresim të postuar në mediat sociale, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje trupave ruse që të dorëzohen.

“Në emër të popullit ukrainas, ne ju japim një shans për të jetuar. Nëse u dorëzoheni forcave tona, ne do t’ju trajtojmë ashtu siç duhen trajtuar njerëzit: me dinjitet”, tha Zelensky.

Zhvillimet e fundit

Një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane tha se pothuajse të gjitha ofensivat ushtarake ruse në Ukrainë, kanë ngecur, pas një përparimi të vogël që kanë bërë në fundjavë. Zyrtari i Pentagonit tha se trupat ruse janë ende rreth 15 kilometra larg qendrës së Kievit.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se bisedimet për paqe midis Ukrainës dhe Rusisë vazhdojnë sot.

Një protestuese kundër luftës ka ndërprerë lajmet e mbrëmjes në një nga kanalet kryesore televizive të Rusisë. Mësohet se ajo është arrestuar.

SHBA-ja paralajmëroi Kinën se do të ketë pasoja nëse e ndihmon Rusinë në pushtimin e Ukrainës. Rusia e mohoi se ka kërkuar ndihmë të tillë nga Kina. Pekini po ashtu tha se nuk ka pasur një kërkesë të tillë.

Mbretëria e Bashkuar paralajmëroi sanksione të reja për më shumë se 100 individë, që kanë lidhje me regjimin e presidentit rus, Vladimir Putin.