Një shqiptar ka humbur jetën tragjikisht në Greqi, pasi u përfshi në një aksident me makinë.
Mësohet se shqiptari ka qenë duke udhëtuar së bashku me një bashkëkombës tjetër, kur makina e tyre humbi kontrollin, u përplas me një shtyllë dhe më pas përfundoi në një kanal.
Të dy personat fillimisht u nxorën nga makina dhe u transportuan në spital, por pasagjeri 61-vjeçar nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë. Ndërkohë, shoferi 33-vjeçar ndodhet në spital, në gjendje të rëndë.
Policia greke po heton për të zbardhur shkaqet e vërteta të aksidentit fatal që i mori jetën një personi.





