KLOS- Policia ka dhënë detaje në lidhje me masakrën e Klosit. Në njoftim bëhet me dije se arsyeja e ngjarjes është lidhja mes 17-vjeçarit Kenado Shira dhe vajzës së Fiqiri Mjeshtrit, i cili është autori i ngjarjes. Ndërkohë që dy personat e plagosur rastësisht nga ngjarja janë sjellë në spitalin e Traumës për të marrë ndihmë mjekësore.

Reagimi i plotë:

Klos/Informacion paraprak Në qytetin e Klosit, dyshohet se shtetasi F. M., 39 vjeç, në bashkëpunim me dy vëllezërit e tij, ka vrarë me armë zjarri, për motive të dobëta, shtetasin K. Sh., 17 vjeç, si dhe kanë plagosur shtetasit I. Sh., 46 vjeç (babai i 17-vjeçarit), R. H., 14 vjeç dhe E. H., 39 vjeç (babë e bir). Të tre të plagosurit janë transportuar në spital, për ndihmë mjekësore. Si pasojë e plagëve të marra, shtetasi I. Sh. ka humbur jetën në spital.

Shërbimet e Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit kanë rrethuar zonën, kanë bllokuar hyrje-daljet e qytetit të Klosit dhe kanë ushtruar kontrolle në banesa, lokale dhe në ambiente të tjera. Gjatë kontrollit të zonës, shërbimet e Policisë kapën dhe shoqëruan në ambientet e Policisë, shtetasin F. M., 44 vjeç dhe vëllanë e tij, shtetasin B. M., bashkëpunëtorë në këtë ngjarje. Gjithashtu, gjatë kontrollit të zonës, shërbimet e Policisë kanë gjetur të pajetë, dyshohet të vetëvrarë, autorin kryesor të kësaj ngjarjeje, shtetasin F. M., 39 vjeç. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, vijon punën për sqarimin dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.