Xherxh (Gjergj) Laçi, 52-vjeç është arrestuar nga policia e Tiranës, pasi prej 6 vitesh mbante të ngujuar dhe dhunonte sistematikisht gruan dhe fëmijët e mitur për shkak të bindjeve radikale.

Blutë e kryeqytetit bëjnë me dije se 52-vjeçari ka qenë i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje.

Në vitin 2013, Laçi terrorizoi zonën e ‘5 Majit’, duke qëlluar me automatik në ajër.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, policia gjeti dhe sekuestroi 2 mjete prerëse thika si dhe municion luftarak.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se 52-vjeçari, prej më shumë se 6 vitesh, mbante të mbyllur duke i dhunuar sistematikisht dhe kërcënuar me armë të ftohta, bashkëshorten dhe dy fëmijët e mitur, të cilët nuk i lejonte të frekuentonin shkollën, për shkak të bindjeve të tij radikale.

Në banesë ata nuk kishin ujë, drita, televizor, dritaret i mbanin mbyllur.

Laçi i kishte paralajmëruar fëmijët dhe gruan që të mos dalin nga banesa pasi mund të infektohen, duke i kërcënuar me armë dhe sende të forta.

Furnizimi i ushqimeve bëhej nga vetë Laçi ose vëllai i gruas.