Emri Gazmend është kthyer në “makthin” e djalit që prej fëmijërisë kur kanë emigruar në Greqi. Në vendin fqinj, emri i tij shqiptohet ndryshe dhe do të thotë “kazmë”, ndaj ai është bullizuar shpesh.
Emri që Luljeta i ka vendosur djalit të saj është arsyeja pse ai prej 5 vjetësh nuk flet me nënën e tij. Sot ajo e ka sjellë në “Shihemi në Gjyq”, takimi i tyre i parë në kaq kohë po ndodh në studion e programit “E diela shqiptare” në Tv Klan, pasi edhe në vendin ku jetojnë, në Greqi, qëndrojnë në qytete të ndryshme. Emri Gazmend është kthyer në “makthin” e djalit që prej fëmijërisë kur kanë emigruar në Greqi. Në vendin fqinj, emri i tij shqiptohet ndryshe dhe do të thotë “kazmë”, ndaj ai është bullizuar shpesh.
Luljeta: Lind ai, kisha dy fëmijët, kam edhe një gocë, edhe djalin. Në kohën e trazirave, në ’96-ën, ’97, për t’i shpëtuar fëmijët si shumë shqiptarë të tjerë, morëm fëmijët dhe kam ikur malit me një fëmijë në sqetull dhe një në dorë.
Eni Çobani: Deri në ‘97 ku ke jetuar?
Luljeta: Në rrethin e Lushnjes.
Eni Çobani: Në rrethin e Lushnjes, pra, po.
Gazmend: Qëkur ikëm atëherë që isha i vogël, 6 për vjeç, kisha problem. Që me shokët, sa u futa në klasën e parë që në muajt e parë, se brenda 4-5 muajve e flisja greqishten shumë mirë atëherë, isha i vogël, e mësova kollaj.
Eni Çobani: Po, sigurisht, se fëmijët e kapin më shpejt gjuhën e huaj.
Gazmend: Fëmijët edhe kur isha në klasë, në mësim, si i thonë… në pushim, qeshnin.
Eni Çobani: Po, e kuptoj që ti ke vështirësi për të folur, mos ki problem se ne të kuptojmë.
Gazmend: Po, me emrin që kam. Thoshin të të thërrasim më mirë Gazma, e kemi më kollaj neve. Çdo njeri, mësuesit thoshin njëherë Gazma, tjetri Gizmet, tjetri Gazmend… thoshin emra turk, unë e kisha problem. Edhe sot e kësaj dite, nuk mund t’i them njeriu këtë emër se qesh.
Luljeta: Po ç’faj kam unë moj zonja Eni?
Gazmend: Kam që në ’97 që mundohem e deri tani më tallin shokët e shumë njerëz të tjerë me këtë emër që më keni vënë. Nuk e di kush e vuri, unë kam probleme në jetën time, nuk po kërkoj ndonjë gjë të madhe.
Eni Çobani: Të lutem. Emri për të cilin neve flasim sepse t’u drejtuam dhe më parë, është një nga emrat më të bukur shqiptarë se duhet të jemi tani të pastër dhe të drejtpërdrejtë se po na ndjek një publik shumë i madh. Emri yt është Gazmend.
Gazmend: Kemi një problem me këtë emër se ky emër në Greqi shqiptohet, si ta them se nuk e di si ta them shqip, thuhet me një emër tjetër grek që nuk është emër i bukur dhe unë e kam problem në jetën time.
Ardit Gjebrea: Nuk është emër i bukur?
Eni Çobani: Pra shqiptimi i emrit Gazmend?
Gazmend: Po.
Ardit Gjebrea: Si shqiptohet?
Gazmend: Është njëlloj me emrin Gazmas.
Ardit Gjebrea: Ça është Gazmas në greqisht?
Gazmend: Është kazmë.
Luljeta: Po ç’faj kam unë të keqen nëna për atë emër? Unë jetoja në Shqipëri, s’jetoja në Greqi.
Gazmendi shpjegon se e njëjta histori u përsërit edhe kur ai ndoqi ushtrinë pasi i kërkonte eprorëve të mos e shqiptonin emrin e tij. Aktualisht, në Greqi emri i tij i pagëzimit është Panajot, emër të cilin dëshiron ta ketë edhe në Shqipëri.





