Duket se momenti që të gjithë fansat e futbollit i trembeshin ka ardhur, Lionel Messi ka deklaruar se ky do të jetë kompeticioni i fundit i Kupës së Botës, në të cilën ai do të marrë pjesë.

Në një intervistë, argjentinasi deklaroi se tashmë e ka vendosur dhe nuk do të ketë më kthim pas, siç ka ndodhur më herët.

“Kjo do të jetë Botërori im i fundit, me siguri. Vendimi është marrë”, i tha ai gazetarit Sebastian Vignolo në një intervistë.

Superylli 35-vjeçar konsiderohet gjerësisht si një nga më të mirët që ka luajtur ndonjëherë lojën e futbollit. Teksa ka shijuar madhështinë dhe lavdinë gjatë kohës së tij te Barcelona, ??Messi nuk ka pasur gjithmonë të njëjtën përvojë me kombëtaren, ku presioni ndaj tij ka qenë shumë i madh, e ku momentet e vështira nuk kanë qenë pak.

Megjithatë, kjo përfundoi vitin e kaluar kur ai udhëhoqi Argjentinën në triumfin e Copa America 2021, pak para se të largohej nga Barcelona, drejt Paris Saint-Germain.

Pasi ka fituar kampionatin kontinental me ekipin e tij kombëtar, Messi synon tashmë lavdinë e Kupës së Botës, për ta mbyllur në mënyrën më të mirë me kompeticionin më të madh të futbollit.