Dy persona kanë shpëtuar mrekullisht nga aksidenti i rëndë në Qafë-Muzinë pasditen e sotme. Drejtori i Spitalit Rajonal të Gjirokastrës, Sokol Feruni në një lidhje telefonike për ABC, konfirmoi se të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa kanë marrë fraktura.
“Gjendja është e qetë. Po ndiqen nga mjekët. Kanë thyerje, fraktura në krah. Pacientja tjetër ka frakturë të brinjëve. Në përgjithësi gjendja është e qetë,” tha ai.
Feruni tha se personat e tjerë që ndodheshin në furgon kanë ndërruar jetë në vend. “Të gjithë kanë humbur jetën në vendin e aksidentit. S’kemi pasur asnjë që të vijë me shenja jete në spital,” tha ai.
Deri më tani janë identifikuar tre nga viktimat e aksidentit. Bëhet fjalë për shoferin Bardhi Prodo, 51 vjeç dhe një çift të moshuarish Fiqiri dhe Drita Korçari, përkatësisht 77 dhe 72 vjeç, të cilët ishin pasagjerë.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 15:30. Siç është bërë me dije, drejtuesi i furgonit ka tentuar të shmangë një mjet “Land Rover” që po lëvizte me shpejtësi, ndërkohë që është përplasur dhe përfundoi në humnerë. Makina “Land Rover” drejtohej nga Rexhina Çelhaka 22 vjeçe, banuese në Tiranë. Kjo e fundit është shoqëruar në polici.