KUÇOVË – Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë ku mbeti i plagosur një efektiv policie gjatë shoqërimit të një shtetasi.

Sipas informacionit të deritanishëm, Zamir Skënderi, 45 vjeç, banues në Kuçovë dhe me precedentë të mëparshëm penalë, ishte shoqëruar nga shërbimet e DVP Fier pasi më herët gjatë ditës ishte konfliktuar në ambientet e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier.

Pas shoqërimit, me kërkesë të DVP Fier, Komisariati i Policisë Kuçovë kishte dërguar një patrullë për transportimin e tij. Tre efektivë po e kthenin drejt Fierit, kur në aksin nacional Fier–Dimal, në dalje të fshatit Kutalli, situata ka dalë jashtë kontrollit.

Skënderi, i cili ndodhej i ulur në sediljen e pasme të mjetit të policisë pranë efektivit Arsen Toska, 20 vjeç, dyshohet se i ka rrëmbyer armën e shërbimit këtij të fundit dhe ka qëlluar, duke e plagosur në kofshë.

Menjëherë pas të shtënës, ai ka tentuar të largohet, por është neutralizuar dhe arrestuar nga dy efektivët e tjerë që ndodheshin në automjet.

Efektivi i plagosur është transportuar fillimisht në Spitalin Rajonal të Beratit për ndihmën e parë mjekësore, dhe më pas është dërguar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku po merr trajtim të specializuar. Sipas burimeve mjekësore, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie dhe ekspertë të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.