Manuel Rapushi ne emisionin e datës 29 tetor 2020 te “Shqipëria Live”, tregoi historinë e tij lidhur me braktisjen e dy vajzave 4 dhe 5 vjeçe. Manueli tha se ishte i martuar prej 5 vitesh me bashkëshorten e tij dhe prej një viti ishin të divorcuar.

Në pamundësi për të mbajtur vajzat Manueli tha se është detyruar t’i dërgonte të miturat në shtëpinë e fëmijës në Korçë. Sipas Manuelit bashkëshortja e tij ishte larguar nga shtëpia pasi i kishte kërkuar kushte më të mira jetese dhe në asnjë moment nuk shprehu që mes tyre mund të kishte pasur konflikte të vazhdueshme apo dhunë.

Manueli dhe Armenita në episodin e 18 nëntorit 2020 u ballafaquan në studion e emisionit “Shqipëria Live” dhe dhanë versionet e tyre të situatës.

Në epidosin e 29 prill 2021 ata kanë vendosur të ribashkohen për të filluar edhe një herë gjithçka nga e para dhe vajzat që janë në shtëpinë e fëmijës t’i marrin në shtëpinë e tyre.

Tani dy vajzat janë në shtëpi së bashku me mamin dhe babin. Prindërit ishin sot në një lidhje direkte me emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, ku treguan se si ka ndryshuar jeta e tyre tani që kanë edhe fëmijët pranë tyre.


“Vajzat nuk pritën të vishnin atletet, dolën me shapka që të iknin sa më shpejt prej atje. I kishte marrë malli shumë. Tani nuk duam më asgjë, vetëm vajzat. Ato prisnin me padurim që ti merrnim nga aty. E vogla është e vogël, ndërsa e madhja tjetër dashuri për mamin dhe babin. Më vjen keq ta pyes gruan për gabimet e mia. Më vjen turp ta them, e mbyll këtu të kaluarën”, tha Manueli.

Ky i fundit shtoi se aktualisht punon në të zezë dhe pasiguracion. Sipas tij, nuk është se punon çdo ditë të muajit, por e ka të vështirë që të gjej një punë stabël. Ai tha se i pëlqen kuzhina dhe do ishte mirë të mësonte e të punonte aty.

Nga ana tjetër, Armenita tha se ishte shumë e lumtur që tani familja e saj është e bashkuar dhe nuk ka më debate.

“Vajzat janë shumë mirë. Vajza tani nuk ka më ato probleme që ka pasur, tani ka ngrohtësinë e babit, mamit dhe motrës. Është shumë e kënaqur. Tani që kam marrë fëmijët ndihëm shumë mirë, luaj, pikturoj dhe fle më fëmijët.

Gjërat e vështira kanë kaluar, tani jam me fëmijët. Manuelit i kam thënë dhe ia them prapë të punojë dhe të rrijë me gruan. Pas pajtimit nuk kemi pasur debate, punojmë dhe ai më ndihmon mua”, tha ajo.