Adriana Zogu është bashkëshortja e të ndjerit Arben Zogu, i cili humbi jetën si pasojë e mbytjes në liqenin e Banjës më 21 qershor të këtij viti. Mes viktimave ishin edhe 2 djemtë e saj, njëri 19 dhe tjetri vetëm 14 vjeç, por edhe nipi, Melsi Zogu 20 vjeç.

Ajo ka vendosur të thyejë heshtjen pas tragjedisë që pllakosi familjen e saj, duke folur në emisionin “Shqipëria LIVE”. Ajo ka treguar se babai dhe djemtë kishin shkuar të nontonin pasi liqeni ishte vend i sigurt, por fatal ka qenë fakti që në territorin e liqenit ishin kryer punime dhe ishin hapur gropa të thella. Për këtë banorët nuk ishin njoftuar dhe nuk kishte as tabela rreth zonës që njoftonin se kishte rrezik.

“Unë banoj në fshatin Cingar i Poshtëm. Vendi ku u mbytën është 20 minuta larg fshatit tonë. Më parë fëmijët kanë bërë shkollën aty dhe ishte një vend i sigurt, kur u bë hidrocentrali e mbyllën shkollën. Ata e dinin shumë mirë vendin. Por nuk e dinin se ishin bërë gërmime të thella. Poshte ujit ndodhej oborri i shkollës dhe ata e njihnin mirë. Ata ndoqën pjesën e asfaltit që e njihnin. Ikën të 4-t bashkë, burri dy djemtë dhe nipi. Aty shkonin shumë njerëz për t’u larë. Edhe sot vazhdojnë lahen njerëz. Ata nuk dinin not dhe shkuan vetëm në një pjesë që ishte e cekët. Por aty kishte gropa, nuk dihet se kush ka punuar aty, ishin si puseta, të thella shumë. Nuk ishte dhënë asnjë njotim që ka rreziqe, ka gropa. Për një tabelë mua mu shkatërrua familja. Po ta dinim, kush është ai prind që do rrezikonte fëmijët. Për një tabelë m’u shua familja. Unë si bashkëshorte, nuk dija akoma se më ishte shuar familja. Kisha shpresë që bashkëshorti dinte not dhe djali i madh dhe do ishin gjallë. Unë thosha se Jori ma ka ikur, dy të tjerët do vinë. Kur më thanë pastaj që donin lekë për të marrë trupat m vranë për herë të dytë.”- tha Zogu.