Pak ditë pas një ndër tragjedive më të mëdha të futbollit, ku humbën jetën mbi 100 persona, ky sport është përfshirë nga kaosi.

Këtë herë problematika janë krijuar në ligën profesioniste të futbollit, në Argjentinë, gjatë ndeshjes mes skuadrës Gimnasia dhe Boca Juniors, ndërsa bilanci ishte një i vdekur dhe dhjetëra të plagosur.

Gjithçka ka nisur pasi tifozët ultras kërkuan të hynin në stadium pa bileta, duke u përplasur me policinë jashtë dyerve të stadiumit. Uniformat blu më pas u detyruan po ashtu të përdornin dhe gaz lotsjellës, që në fakt shkaktoi kaos dhe brenda fushës. Jo vetëm lojtarët dhe arbitrat u prekën, por mbi të gjitha, tifozët që tashmë kishin hyrë për të parë ndeshjen.

Loja u ndërpre vetëm pas 9 minutash, teksa fusha u pushtua nga gazi lotsjellës. Tifozët që ishin brenda filluan të vraponin në kaos duke kërkuar të dilnin nga aty, por gjërat u komplikuan për shkak se dyert e stadiumit ishin të mbyllura për të mos lejuar tifozët pa bileta të hynin.