Ndërron jetë një nga qytetaret e plagosura në aksidentin që ndodhi në Korçë, në afërsi të fshatit Cangonj.

Rreth orës 16:10, një mjet “Benz” është përplasur kokë më kokë me një mjet “Ford” Caddy të kuq, çka ka sjellë përmbysjen e këtij të fundit në anë të rrugës, ku u plagosën 7 persona.

Viktima, Miranda Malolli raportohet të ketë qenë 50 vjeçe, ndërsa të plagosurit e tjerë kanë mbetur me fraktura, konkretisht thyerje në këmbë dhe në krahë. Sipas të dhënave ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Mjeti “Ford” shkonte drejt Bilishtit, ku udhëtonte dhe e ndjera, të cilët ishin duke u kthyer në shtëpi. Sakaq, mjeti “Benz” ka qenë duke shkuar drejt Korçës.

Deri më tani, sipas informacioneve ka qenë mjeti tip “Benz”, shkaktar i aksidentit, pasi ka bërë një parakalim të gabuar.

Njoftimi i Policisë’ DVP Korçë

Informacion shtesë në lidhje me aksidentin e ndodhur pasditen e sotme, pranë fshatit Cangonj.

Në vijim të informacionit paraprak, që bën fjalë për aksidentin e ndodhur në aksin rrugor “Korçë-Kapshticë”, pranë fshatit Cangonj, ju informojmë se është përplasur automjeti tip “Ford” me drejtues shtetasin E. M., me automjetin tip “Benz” me drejtues shtetasin A. Sh.

Për pasojë ka ndërruar jetë pasagjerja që lëvizte me automjetin tip “Ford”, shtetasja M. M., rreth 50 vjeçe, banuese në fshatin Eçmenik, Devoll dhe janë plagosur 7 shtetas, konkretisht dy drejtuesit e automjeteve shtetasit E. M. dhe A. Sh., dhe 5 pasagjere të automjetit tip “Ford”, të cilët u transportuan për mjekim në spitalin e Korçës.

Grupi hetimor po kryen veprimet e mëtejshme për sqarimin e rrethanave të aksidentit.