Gjithçka u zbulua nga përzierja e goglave në ‘Shtëpinë e Futbollit Evropian’, selinë e UEFA-s në Nyon (Zvicër). Në orën 12:00 të mesditës së sotme nisi shorti i 1/8 finale të Ligës së Kampionëve, i cili përcaktoi çifte mjaft interesante.
Në fakt, tani nis Championsi-i vërtetë, me eliminim direkt, me sitemin vajtje-kthim. Spikat dueli Liverpool-Real Madrid, e cila është as më pak dhe as më shumë se finalja e edicionit të kaluar, e luajtur në Paris, ku fituan të bardhët 1-0 dhe u shpallën kampionë të Europës.
Përplasje gjigantësh mund të konsiderohet edhe PSG-Bayern Munich, ndërsa skuadrat italiane do të ndeshen me kundërshtarë më të lehtë në letër, por shumë të rrezikshëm.
Kështu, Milani do të sfidojë Tottenham e Antonio Conte, Interi do të ketë punë me Porton, ndërsa Napoli me gjermanët e Eintracht Frankfurtit. Për ta mbyllur “foton” ndeshja mes Borussia Dortmundit dhe Chelseat.
Ndeshjet e para do të zhvillohen më 14/15 dhe 21/22 shkurt, ndërsa ndeshjet e kthimit më 7/8 dhe 14/15 mars. Fituesit e grupeve në raundin që u mbyll (sikurse ishte Napoli) do t’i luajnë ndeshjet e kthimit në shtëpi. Të gjitha ndeshjet do të fillojnë në orën 21:00. Kujtojmë se finalja e këtij edicioni të Champions-it është caktuar më 10 qershor në Stamboll.
16 skuadrat e këtij turi ishin ndarë në dy grupe. Rregullat e shortit janë të tilla që nuk mund të përballnin skuadra nga i njëjti shtet, as skuadra që tashmë i kishin kryqëzuar rrugët në fazën e grupeve.