Një vajzë 6-vjeçare ka mbetur e vdekur pas një sulmi ajror rus. Imazhet horror tregojnë vogëlushen e veshur me pizhame të shtrirë të vdekur.

“The Sun” shkruan se pavarësisht përpjekjeve heroike të ekipit mjekësor, vajza nuk mundi që të shpëtohej. Madje një mjek i zemëruar ishte dëgjuar të thoshte: “Tregojini këtë Putinit”.

Imazhet e dhimbshme tregojnë se 6-vjeçarja është dërguar me urgjencë në spital me një ambulancë në Mariupol, pasi ka marrë plagë nga bombardimet. Nëna e saj e tmerruar dhe e mbuluar në gjak shfaqet teksa mban shallin e saj rozë.

Ajo është fotografuar ndërsa priste jashtë ambulancës, teksa ekipi mjekësor u përpoq dëshpërimisht ta mbante në jetë vogëlushen.

“Nxirreni jashtë! Nxirreni jashtë! Ne mund t’ia dalim”, është dëgjuar të thotë një punonjës i spitalit, ndërsa një infermiere i bëri vajzës një injeksion dhe një tjetër u përpoq ta sillte në jetë më një defibrilator.

Ndërsa një mjek që pomponte oksigjen tek ajo, i tha gazetarit që u lejua që të hynte brenda: “Tregojini Putinit. Sytë e këtij fëmije dhe mjekët që qajnë”.

Fatkeqësisht ajo ishte një nga viktimat e reja që iu shtua numrit të të vdekurve nga lufta brutale midis Rusisë dhe Ukrainës, tha ministri i Shëndetësisë, Viktor Lyashko, sipas “Kyiv Independent”.