Kapet me armë dhe drogë një shtetas në Elbasan.

Si rezultat i kontrolleve të kryera në kuadër të megaoperacioneve “Tempulli” dhe “Sundimi i ligjit”, bazuar në inteligjencën policore, specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Personit, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kanë goditur një rast të armëmbajtjes pa leje dhe një rast të shitjes së lëndëve narkotike.

Në vijim të veprimeve për këto raste u vu në pranga shtetasi D. Ç., 55 vjeç dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Xh. M., 26 vjeç (nipi i 55-vjeçarit), banues në të njëjtën banesë, në Elbasan.

Gjatë kontrollit në banesën e këtyre shtetasve, shërbimet e Policisë kanë gjetur 1 armë zjarri pistoletë dhe një sasi metadoni, të cilat dyshohet se i posedonte 55-vjeçari. Gjithashtu, 26-vjeçarit, gjatë kontrollit fizik, iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis në formë çokollate.

Pistoleta, metadoni dhe kanabisi u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.