Braziliani Gabriel luftoi me dy burra, që tentuan t’i vidhnin makinën në shtëpi, në veri të Londrës. Kësisoji, mbrojtësi i Arsenalit u bë futbollisti i fundit i Premier League që u vu në shënjestër të hajdutëve të armatosur.

Policia Metropolitane ka publikuar pamjet e ngjarjes, ku Gabriel, i cili ishte me një shok, luftoi me njërin grabitës të armatosur me shkop bejsbolli. Agresori, Abderaham Muse, u dënua muajin e kaluar me pesë vite burg për akuzën e grabitjes me dhunë dhe mbajtjen e armës luftarake.

Pamjet treguan Muse dhe një bashkëpunëtor të tij duke u përballur me Gabriel në garazhin e shtëpisë së tij, përpara se qendërmbrojtësi i Arsenalit të dorëzonte orën dhe çelësat e makinës. Ishte edhe një bashkëpunëtor i dytë i grabitësve, që nuk shfaqet në kamera.

Pamjet treguan Muse duke sulmuar Gabriel, i cili u mbrojt dhe e kapi sulmuesin. Më pas, Muse u largua me bashkëpunëtorin e tij, duke e lënë makinën të paprekur. Kapela e Muse ra përtokë gjatë konfrontimit fizik, duke i siguruar policisë ADN-në, që i mundësoi ta lidhte atë me grabitjen. Asnjëri nga bashkëpunëtorët e Muse nuk është kapur.

I pyetur për incidentin në konferencën e tij për shtyp, të mërkurën, trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, vlerësoi guximin e Gabriel: “Nuk është një gjë e bukur të kalosh kësi incidentesh, sidomos kur përfshihet familja dhe grabitësit përpiqen të hyjnë në shtëpinë tuaj.

Gabi tregoi shumë karakter në reagimin që pati menjëherë, meritat shkojnë për të. Pas kësaj traume, ai ka qenë mirë. Natyrisht, ishte i tronditur dhe kishte disa gjëra në jetën e tij që duhej t’i ndryshonte për parandaluar raste të tilla përsëri. Klubi i dha atij të gjithë mbështetjen që duhej për ta harruar situatën, për të mësuar prej saj dhe për të vazhduar përpara”.

Mbrojtësi tjetër i Arsenalit, Sead Kolasinac, ishte viktimë e një tentative grabitjeje të armatosur së bashku me shokun e atëhershëm të skuadrës, Mesut Ozil, në korrik 2019. Kolasinac luftoi me dy burra të armatosur jashtë shtëpisë së tij në veri të Londrës dhe dyshja e grabitësve u burgos më vonë.