RUSI- Presidenti Vladimir Putin uroi të enjten Donald Trump për fitoren e tij në zgjedhjet amerikane, në komentin e parë publik të liderit rus mbi rezultatin e votimit në SHBA. Putin gjeti rastin të uronte Trump gjatë një forumi ndërkombëtar pas një fjalimi në vendpushimin e Detit të Zi të Soçit.

“Do të doja të përfitoj nga ky rast për ta uruar për zgjedhjen e tij si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Putin në një seancë pyetje-përgjigje në konferencë.

Ai e përshkroi Trumpin si një “burrë të guximshëm” dhe se çdo ide për lehtësimin e përfundimit të krizës në Ukrainë meriton vëmendje. “Për dëshirën për të rivendosur marrëdhëniet me Rusinë, për të ndihmuar në përfundimin e krizës ukrainase, sipas mendimit tim, meriton të paktën vëmendje”, tha Putin.

I pyetur nëse është i hapur për të mbajtur bisedime me Trumpin, udhëheqësi rus tha: “Jam gati”. Gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale, Trump kishte deklaruar se nëse zgjidhej president, ai do t’i jepte fund shumë shpejt luftës që Rusia nisi kundër Ukrainës më 2022.

Për sa i përket asaj që pret nga një presidencë e dytë e Trump, Putin tha: “Nuk e di se çfarë do të ndodhë tani, nuk e kam idenë. Për të, ky është ende mandati i tij i fundit presidencial. Çfarë do të bëjë është çështje e tij,” tha Putin.