Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mbrëmjen e sotme në Tiranë.
Nga informacionet paraprake bëhet me dije se një plagosje me armë ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të enjte te kryqëzimi i Bathores në Kamëz.
Mësohet se dy persona kanë qëlluar me armë ndaj 46-vjeçarit Agim Hida. Ky i fundit është dërguar menjëhërë në spital. Sakaq, raportohet se është qëlluar në distancë të afërt dhe ka marrë plagë në këmbë.
Ndërkohë nuk ka ende asnjë informacion për autorët, teksa policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po heton për zbardhjen e krimit.
Kamëz/Informacion paraprak
Më datë 02.11.2023, rreth orës 19:15, në afërsi të kryqëzimit të Bathores, në rrethana ende të paqarta, dy persona ende të paidentifikuar të cilët lëviznin me një motomjet, kanë qëlluar me armë zjarri shtetasin A. H., 46 vjeç.
Si pasojë 46-vjeçari është plagosur në këmbë dhe ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Shërbimet e Policisë pas marrjes së njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë rrethuar zonën, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit/ëve.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe vijon veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.





