Radhë të gjata janë krijuar në doganën e Morinës, pasi pala kosovare ka kthyer shumë qytetarë të Shqipërisë. Qeveria kosovare mëngjesin e sotëm ka zbatuar rregullat e reja të vendosura në kufi për të parandaluar përhapjen e covid-19, ku ndryshe nga kalimi i qytetarëve nga Kosova të cilët kalojnë lirisht në Shqipëri pas asnjë masë, pala tjetër nuk pranon kalim të kufirit pa test PCR ose pasaportë vaksinimi.
Shumë qytetarë të irrituar, ku disa prej tyre kalimin e kufirit e kanë jetik pasi punojnë në shtetin fqinjë, shprehen se këto masa janë të padrejta pikërisht sepse pala shqiptare i lejon shtetasit e Kosovës të kalojnë pas kryer test apo pa deklaruar pasaportën e vaksinimit. Jo pak prej tyre hidhnin idenë e bllokimit të doganës.
Njoftimi i palës kosovare:
-Certifikatën e vaksinimit të plotë ose marrjen e një doze të vaksinës kundër COVID-19.
-Testi RT-PCR negativ për COVID -19, vlefshmëria jo më shumë se 72 orë nga bërja e testit.
-Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave serologjik-IgG, i lëshuar para 30 ditëve.
-Test i shpejtë antigjen negativ, vlefshmëria jo më shumë se 48 orë nga bërja e këtij testi.
Nga rregullat e mësipërme sipas njoftimit përjashtohen:
Personat të cilët hyjnë në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohen nga Kosova brenda 3 orëve, përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruajn deklaratën se do të largohen nga Kosova brenda 3 orëve.
Personat, të cilët punojnë si transportues profesionist (vozitës), me kusht që të respektojnë protokollin për transport ndërkombëtar për mbrojtje nga COVID-19;
Shtetasit e Republikës së Kososës që kanë dalë jashtë Kosovës në 12 orët e fundit;
Qytetarët e huaj, të cilët kalojnë në Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, tranzit, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do të largohen nga territori i Kosovës, brenda pesë orësh;
Diplomatët e huaj, të akredituar në Kosovë;
Personat nën moshën 18 vjeç.