LUSHNJE- Dramatike ishte ngjarja e djeshme në Lushnjë, ku një pallat 12 katësh u përfshi nga flakët. Pavarësisht se për disa orë u punua për lokalizimin e tij dhe se vatrat u fikën, disa orë më vonë zjarri u riaktivizua.

Kjo bëri që të evakuoheshin dhe banorët e pallateve ngjitur vatrës së zjarrit. Pas disa orësh në luftë më flakët, zjarri u arrit që të shuhej.

Mungesa e një autoshkalle e bënte të vështirë shuarjen e zjarrit ndërsa zjarrfikësit hidhën ujë nga kati i parë për në katin e katërt të qendrës që ishte duke u shkrumbuar. Flakët përpinë dhe katin e tretë të ndërtesës.

Ne ndihmë shkuan dhe një numër i madh zjarrfikësish të ardhur nga Qarku Fier, Tiranë, Durrës, Vlorë, Elbasan e Berat. Zjarri që u aktivizua rreth orës 14:40 rrezikoi jetën e shumë personave të cilët kishin shkuar për të bërë pazar apo festuar ditën e Krishtlindjeve, por dhe të banorëve që jetonin në katet e sipërme të pallatit.