Një sëmundje misterioze bën kërdinë në pularitë e vendit, 500 mijë shpendë të ngordhura brenda pak ditësh.

Gripi i shpendëve dyshohet se ka prekur pularitë më të mëdha në Durrës.

Njoftohet se më shumë se 500 mijë pula kanë ndodhur ditët e fundit, duke shkaktuar panik për përhapjen e gripit të shpendëve.

Sipas ABCNews bëhet me dije se 2 prej kompanive më të mëdha në qytetin bregdetar iu kanë ngordhur të gjitha pulat.

Mësohet se deri tani analizat thonë se kemi të bëjmë me sëmundjen e laringotrakeit infektiv. Nuk është ende e qartë se cili variant i virusit po qarkullon, por dyshohet se po dëmton rrugët e frymëmarrjes së shpendëve.

Ministria e Bujqësisë reagoi se kjo ka ndodhur në 2-3 stabilimente por mos kini frikë!

Mirëpo Ministria e Bujqësisë e ka mohuar aludimin se bëhet fjalë për grip shpendësh, pasi sipas tyre, ekspertët kanë shkuar për të bërë testimet e nevojshme dhe nuk kanë gjetur asnjë shenjë. Nga shpendët e ngordhura, Ministria e Bujqësisë bën me dije se nuk ka sëmundje që rrezikojnë konsumatorin apo produktet me origjinë nga shpendët. Por sërish nuk sqaron se çfarë e ka shkaktuar ngordhjen masive të shpendëve, çuditësisht të gjithë në të njëjtën zonë por në pulari të ndryshme.

Ndërkohë që edhe pak ditë më parë Drejtori i Parkut Kombëtar të Karavastasë, Ardian Koçi tha se një virus shkaktoi ngordhjen e 60% të pelikanëve kaçurrel në liqenin e Prespës, duke paralajmëruar se rrezikon të përhapet në të gjithë Shqipërinë. Megjithatë mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë për të njëjtin virus pasi Ministria është mjaftuar vetëm me mohimin e lajmit për përhapjen e grupit të shpendëve, pa dhënë asnjë detaj se ç’po ndodh e nëse ka pasur shpendë që kanë përfunduar në treg për t’u konsumuar nga qytetarët.

Në një kohë kur që instancat heshtin, qytetarët mund të jenë duke konsumuar produkte që nuk dihet se ç’pasoja mund të shkaktojnë në organizmin e njeriut. Po ashtu, një tjetër detaj që vihet re është fakti se nën monitorim po mbahet vetëm zona e Durrësit, edhe pse ka thirrje se e njëjta dukuri ka ndodhur edhe në zona të tjera të vendit.