Një gjykatë në Kroaci ka lënë në paraburgim edhe për dy muaj të tjerë, shoferin kosovar, Dukagjin Lyta, i cili dyshohet se shkaktoi aksidentin tragjik në Slovanski Brod të Kroacisë, ku humbën jetën 10 emigrantë që po vinin nga Gjermania për në Kosovë.

Avokati i shoferit, Igor Cisher, ka deklaruar se paraburgimi i klientit të tij është zgjatur nën pretekstin e mundësisë së arratisjes.

“Paraburgimi i klientit tim u zgjat për dy muaj të tjerë për shkak të mundësisë së arratisjes. Komunikoj me të, ai nuk është mirë me shëndet. Është në gjendje shumë të keqe. Ne ofruam garanci prej 100,000 kuna (66.000 euro), por gjykata nuk e pranoi atë. Klienti im bisedon me familjen e tij në Kosovë çdo ditë, por nuk është aspak mirë. ”, tha ai.

Aksidenti që ndodhi në Slovanski Brod të Kroacisë, ku humben jetën 10 kosovarë, u cilësua si një nga aksidentet më tragjike të ndodhura ndonjëherë në këtë shtet.