ELBASAN – Shqipëria U-21 luajti sot ndaj Rumanisë U-21 ndeshjen e dytë të kualifikueseve të Europianit të kësaj grup-moshe, duke triumfuar me rezultatin 3-2 pas një ndeshjeje të mbushur me emocione.

Minutat e para janë shumë të balancuar me të dyja skuadrat që qarkullojnë topin, por nuk arriijnë të krijojnë raste të pastra për shënim. Pjesa e parë mbyllet me një barazim 0-0 pa shumë raste të pastra për shënim.

Pjesa e dytë nis shumë vrullshëm me Rumaninë, që zhbllokon rezultatin me anë të Grameni (47’), i cili godet saktë në zone, pas një krosimi nga e djathta duke e dërguar topin në rrjetë. Kuqezinjtë U-21 reagojnë menjëherë dhe një minutë më pas Arda Kurtulan godet dhe topi përplaset në traversë. Buxhelaj i ndodhur aty pranë provon, por një nga mbrojtësit rumun largon topin në vijnë fatale.

Shqipëria U-21 hidhet e gjitha në sulm dhe bën presion të lartë, duke iu afruar sërish golit, këtë me Shpendin, gjuajtja e të cilit përfundon jashtë ngjitur me shtyllën. Trajnerët kanë bërë ndërkohë zëvendësimet e para, duke rifreskuar forcat.

Pavarësisht përpjekjeve në minutën e 58-të rumunët dyfishojnë. Gjuajtja nga distanca e njërit prej mesfushorëve rumunë grushtohet nga portieri Lilo, por Borza që ndjek aksionin godet saktë dhe shënon.

Gjithsesi, kuqezinjtë nuk dorëzohen dhe në minutën e 63-të Berisha jep një top në thellësi për Cristian Shpendin, i cili arrin të godasë portën me topin, që pasi devijohet nga një mbrojtës përfundon në rrjetë. Goli u jep zemër kuqezinjve që vazhdojnë të këmbëngulin dhe barazim nuk vonon. Kapiteni Medon Berisha lëshon një predhë nga një distancë e largët me topin që përfundon në trekëndëshëin e portës rumune. Është minuta e 70-të dhe rezultati i fiksuar në shifrat 2-2.

Tani Shqipëria U-21 beson dhe hidhet e gjitha në sulm. Në minutën 87-të kuqezinjtë zbresin në zonë dhe Stiven Shpendi, jep një pasim të shkurtër për Pajazitin, i cili godet saktë dhe arrin të shënojë 3-2. Misioni përmbysje realizohet, shpërthen festa në “Elbasan Arena” me kuqezinjtë që më në fund arrijnë të kalojnë në një avantazh të merituar.

Në minutat e fundit Kombëtarja shqiptare arrin të menaxhojë mirë lojën, duke marrë kështu tre pikë të rëndësishme, duke u renditur në vendin e parë të Grupit “E” me 6 pikë pas dy ndeshjeve të para.

Formacioni startues i Shqipërisë U-21 ishte: Klidman Lilo, Behar Ismaili, Ermis Selimaj, Adrian Bajrami, Ajdi Dajko, Arda Kurtulan, Medon Berisha, Arlind Rexhepi, Adrion Pajaziti, Stiven Shpendi, Geralb Smajli.