Të paktën dy persona kanë humbur jetën në një zjarr që shpërtheu në një spital për trajtimin e pacientëve të prekur nga koronavirusi i ri (COVID-19) në qytetin Ploiestit të Rumanisë.

Zëdhënësja e policisë, Mihaela Florescu, tha se zjarri shpërtheu për arsye të panjohura në ndërtesën e sëmundjeve infektive të spitalit shtetëror. Ajo theksoi se nga zjarri humbën jetën dy pacientë që trajtoheshin me aparatin e frymëmarrjes.

Florescu njoftoi se 20 pacientë u evakuuan dhe se një punonjës i spitalit është plagosur gjatë përpjekjes për të shuar zjarrin. Në Rumani, vend që aktualisht po përballet me valën e katërt të pandemisë COVID-19, barra në sistemin shëndetësor dhe spitale është rritur ndjeshëm.

Zjarri në spitalin e qytetit Ploiesti ishte zjarri i katërt që shpërtheu në spitalet COVID-19 të vendit gjatë pandemisë. Rumania deri më tani ka raportuar mbi 1,72 milion raste të koronavirusit dhe pothuajse 52 mijë viktima.