Një student 20-vjeçar i mbijetoi tërmetit në jug të Türkiye-s, falë një postimi në rrjetet sociale që ai dërgoi teksa ishte ngujuar nën rrënojat e një ndërtese. Boran Kubat mbeti nën rrënoja në Malatya me nënën, gjyshen dhe dy dajtë e tij kur rajoni u lëkund nga tërmeti i dytë.

“Nuk e kishim menduar se do të ndodhte një tërmet kaq i fuqishëm pas të parit. Shkuam në shtëpi dhe ram të flemë kur ndodhi tërmeti. Papritur gjithçka u errësua ndërsa nëna ime u rrëzua pranë meje”, tregon i riu për AA.

Ai vazhdon rrëfimin e tij, se si shpërndau një video në rrjetet sociale në të cilën thërret për ndihmë dhe jep vendndodhjen e saktë të shtëpisëm, shkruan mediat turke.

“Telefonin tim e kisha me vete, kështu mendova se nëse e shpërndaja videon në rrjetet sociale, miqtë e mi mund ta shihnin dhe mund të arrinin tek ne. Kështu edhe na gjetën. Qëndrova nën rrënoja rreth 5 deri në 6 orë. Më në fund na gjetën, mua dhe nënën time. Tani po përpiqen të shpëtojnë njërin nga dajtë e mi ndërsa daja tjetër dhe gjyshja janë ende të bllokuar nën rrënoja”, tha Kubat.

Boran studion në Universitetin “Nisantasi” të Stambollit dhe erdhi në vendlindje për pushime.