38-vjeçari shqiptar Artur Marku është deklaruar fajtor pasi ka hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar më 6 nëntor të vitit të kaluar, për të shtatën herë.
Ai u paraqit në Gjykatën e Magjistraturës Antrim përmes një telekonference nga qelia e burgut.
Gjykata dëgjoi se shqiptari u kap në Aeroportin Ndërkombëtar të Belfast “duke tentuar të hyjë në portën e nisjes”, sipas prokurorit. Ai tha se i pandehuri ishte lënë i lirë më parë me një urdhër dëbimi nga Mbretëria e Bashkuar në 2005 dhe e kishte shkelur atë në gjashtë raste të mëparshme.
Marku kishte marrë një dënim me shtatë vjet burg në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2009 për lëndim të rëndë trupor me dashje dhe në vitin 2022, në Uells, ai u burgos për gjashtë muaj për një vepër të ngjashme.
Një avokat mbrojtës i tha Gjykatës Antrim të martën se i pandehuri është i martuar me një grua nga Antrimi, por jeton dhe punon në Republikën e Irlandës.
Duke e burgosur të pandehurin për pesë muaj, gjykatësi i qarkut i tha Markut: “Kjo është hera e shtatë që ju e shkelni këtë urdhër dëbimi dhe jo vetëm që shkelni urdhrin, por kryeni vepra penale kur jeni në Mbretërinë e Bashkuar”.