Tiranë- Pickimet nga gjarpërinjtë, merimangat, akrepët, grerëzat etj, janë të shpeshta gjatë verës. Një grua, nga një fshat i Beratit është pickuar sot nga merimanga e zezë. Ajo është dërguar me urgjencë për në spitalin e qytetit dhe më pas në QSUT. Mirëpo, sipas dëshmisë së djalit të saj në spital nuk ka kundërhelm. Spitali ka thënë se nuk e kanë kundërhelmin, i cili duhet të merret brenda 48 orëve.

Djali i gruas që e ka pickuar merimanga ka shkruar në disa redaksi dhe kërkon ndihmë. Ai vetë ndodhet në Angli dhe është duke kërkuar edhe atje, por problemi është se duhet sa më shpejt të jetë e mundur. ‘Unë jam në Angli dhe motra në Greqi. Mjekët kanë thënë se duhet brenda 48 orëve. Ju lutem më ndihmoni’, ka apeluar djali.