E sotmja është një ditë e shënuar për shqiptarët. Jo se zhvillohet finalja e “Big Brother”, por se 618 vite më parë ka lindur heroi ynë më i madh kombëtar dhe një nga figurat më të fuqishme që ka prodhuar historia e Shqipërisë, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Në fakt ditëlindja e Skënderbeut nuk dihet 100% me saktësi, por 6 maji është data që thuhet më me siguri.

Ndryshe nga politikanët tanë, që janë të zënë në fushatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar këtë ditë të veçantë për shqiptarët dhe ka folur pak rreth heroit, pa të cilin ne ndoshta nuk do të identifikoheshim më si shqiptarë dhe nuk dihet sesi rrjedha e ngjarjeve do të kishte marrë pas pushtimit të ashpër turk për shekuj me radhë.

POSTIMI I KURTIT – “Çdo heroi në histori i është dashur të kalojë përmes tri fazave të glorifikimit, të asgjësimit dhe të rivlerësimit.” – Ky gjykim i Fan S. Nolit i shkruar si fjali e parë në hyrje të monografisë së tij për Skënderbeun dhe e botuar më 1947 nga Universiteti i Neë York-ut, ka ruajtur vërtetësinë e tij deri sot. Ndryshe nga data e vdekjes së tij (17 janar 1468) që është regjistruar nga kronistët e kohës, data e lindjes së Skënderbeut asnjëherë nuk është fiksuar me siguri.

Megjithatë, nisur nga emri i tij, Gjergj, historianët kanë ngritur hipotezën që dita e shenjtorit Gjergj, 6 maji, mund të jetë ditëlindja e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Sido që të jetë, qoftë dhe vetëm për këtë arsye, data 6 maj është një shkas tjetër për ta kujtuar Skënderbeun, Kryezotin e Arbërisë.

Bibliografia e titujve të veprave të shkruara për Skënderbeun tejkalon shifrën 1000, duke e bërë atë një nga figurat historike për të cilin botërisht është shkruar më së shumti. Biografi, poema, drama, opera dhe studime historike, politike, diplomatike dhe ikonografike, si dhe gjini të tjera, janë zgjedhur nga autorë shqiptarë dhe botërorë për ta trajtuar Skënderbeun dhe atë çfarë ai përfaqëson. Që nga Marin Barleti dhe Frang Bardhi, jeta dhe vepra e Skënderbeut ka tërhequr vëmendjen dhe ka nxitur interesimin e shumë autorëve dhe studiuesve shqiptarë dhe nga gjithë bota.

Veçanërisht një korpus veprash dhe punimesh të shkruara gjatë njëqind viteve të fundit nga autorë si Fan S. Noli, Athanas Gegaj, Marin Sirdani, Giussepe Valentini, Injac Zamputti, Aleks Buda, Dhimitër Shuteriqi, Kasem Biçoku, Kristo Frashëri, Moikom Zeqo, Oliver Jens Schmitt, Aurel Plasari, Pëllumb Xhufi etj., e mbajnë ende shumë të gjallë historinë e Skënderbeut edhe për kohët tona.

Luftëtar i guximshëm e patriot i madh, prijës i shquar dhe strateg ushtarak, politikan vizionar dhe diplomat i shkathët, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është personaliteti më i rëndësishëm në historinë e shqiptarëve, kurse figura e tij prej heroi, nga koha e tij te rimarrja prej rilindasve dhe deri te ne sot, ka mbetur qendror në identitetin shqiptar.

Lavdi heroit të kombit Gjergj Kastriotit – Skënderbeut për jetë e mot!