Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka urdhëruar përjashtimin e menjëhershëm nga radhët e Policisë të inspektorit të Gardës, Martin Nikolla, shofer i Kryetares së Parlamentit Lindita Nikolla.

Ai u përfshi në një konflikt me një familje në fshatin Hamallaj dhe ka përdorur armën e shërbimit.

Lidhur me këtë rast ka reaguar Garda e Republikës e cila citon se:

Garda e Republikës është informuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës mbi përfshirjen e një efektivi të Gardës në një incident të dhunshëm, në Hamallaj, ku dyshohet se inspektori M.N., ka përdorur edhe armën e shërbimit.

Me urdhër të Ministrit të Brendshëm është bërë përjashtimi i menjëhershëm i këtij punonjësi, nga radhët e Gardës së Republikës.

Ndërkohë Policia e Shtetit ka bërë ndalimin e tij.

Çfarë ndodhi sipas policisë:

Rreth orës 11:30, në Hamallaj, dyshohet se për motive pronësie, janë konfliktuar duke përdorur mjete të forta, anëtarët e një familjeje, shtetasit P. K., K. K. dhe S. K., me anëtarët e një familjeje tjetër, shtetasit A. N., P. K. dhe M. N.

Gjatë konfliktit dyshohet se shtetasi M. N., punonjës i Gardës, ka qëlluar në ajër, me armën e shërbimit. Nga të shtënat nuk është dëmtuar asnjë person.

Shërbimet e Policisë, sapo kanë marrë njoftim, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur shoqërimin e të gjithë personave të përfshirë në konflikt, në Komisariatin e Policisë Durrës.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të konfliktit.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore dhe procedurale, do të ketë njoftim të plotë.