Një 19-vjeçare me origjinë shqiptare ka humbur jetën në rrethana tragjike në ishullin grek të Kefalonisë, ndërsa autoritetet kanë rënduar akuzat ndaj tre personave të përfshirë në ngjarje.
E reja, e identifikuar nga mediat greke si Myrto, u gjet pa ndjenja në orët e para të mëngjesit në qendër të Argostolit dhe u transportua me urgjencë në spital. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për rreth një orë, ajo nuk mundi të rikthehej në jetë.
Sipas hetimeve paraprake, 19-vjeçarja kishte shkuar pas mesnate në një dhomë hoteli së bashku me një 23-vjeçar, ndërsa më pas iu bashkuan edhe dy persona të tjerë, të moshës 26 dhe 22 vjeç. Dyshohet se gjatë qëndrimit në hotel janë konsumuar substanca narkotike, faktor që po hetohet në lidhje me përkeqësimin e gjendjes së saj shëndetësore.
Hetuesit dyshojnë se, pasi e reja humbi ndjenjat, tre të dyshuarit nuk njoftuan menjëherë shërbimet e emergjencës. Në vend të kësaj, ata dyshohet se e transportuan dhe e lanë në një zonë qendrore të qytetit, duke u larguar më pas nga vendi i ngjarjes.
Autoritetet theksojnë se viktima ka mbetur pa ndihmë për një periudhë të konsiderueshme kohe, çka mund të ketë ndikuar në përkeqësimin fatal të gjendjes së saj. Kur mbërriti ambulanca, ajo ndodhej në gjendje kritike.
Gjetjet paraprake të ekspertizës mjeko-ligjore tregojnë se shkaku i vdekjes ishte arrest kardiak, ndërsa analizat toksikologjike pritet të përcaktojnë nëse përdorimi i mundshëm i substancave narkotike ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë.
Sipas mediave greke, pas largimit të vajzës nga dhoma, një nga të dyshuarit është rikthyer për të pastruar ambientin, në përpjekje për të zhdukur prova të mundshme, ndërsa raportohet gjithashtu se është fshehur edhe telefoni i viktimës.
Në këto rrethana, prokuroria ka ngritur ndaj tre të dyshuarve akuzën për “vrasje nga pakujdesia përmes mosveprimit”, si dhe për posedim dhe përdorim të lëndëve narkotike.
Të tre personat pritet të paraqiten përpara gjyqtarit hetues të premten, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes. Familja e viktimës ka kërkuar drejtësi dhe sqarim të plotë të çështjes.



