7 vajzat e huaja që u arrestuan disa ditë më parë në Tiranë, nën akuzë për ushtrim prostitucioni, janë liruar sot nga qelia.

Me kërkesë të organit të akuzës, gjykata vendosi për to masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”, si dhe bllokimin e pasaportave për të mos u larguar nga vendi ynë deri në fund të hetimit.

Një faqe online në internet iu shërbente vajzave të huaja që ushtronin prostitucion në Shqipëri për të marrë rezervime nga klientë të interesuar për shërbimet e tyre. Kështu ka funksionuar gjetja e punës për vajzat e moshës 20 deri në 30 vjeç, që vinin kryesisht nga vendet e Amerikës latine.

Mësohet se ato shoqëronin klientët shqiptarë në ambiente dhe hotele të ndryshme në këmbim të pagesës, teksa hetuesit e kanë ende të paqartë se kush fshihet pas kësaj skeme,

Vajzat e arrestuara dolën para gjykatës ku kanë pranuar që punojnë si eskorta, ndërsa kanë treguar se ka qenë shtetasja Beisi Yusmar Rojas Ruiz, me origjinë nga Kolumbia që i shfrytëzonte për prostitucion. 6 vajzat kishin ardhur në Shqipëri nga Spanja, Kolumbia, Venezuela dhe Rusia.

Ndërkohë, në ndjekje penale për këtë rast janë 4 pronarë të apartamenteve ku jetonin vajzat e huaja.