Dy punonjës policie në Lezhë janë pezulluar nga puna. Ndaj tyre ka nisur hetim administrativ për shkelje të rëndë të procedurës standarde të punës.
Reagimi i policisë erdhi pas publikimit të një video në rrjetet sociale, ku inspektorët A. Ç. dhe K. Ll. të dy punonjës së Patrullës së Përgjithshme në stacionin e policisë në Shëngjin u filmuan duke përfituar para në mënyrë të paligjshme gjatë ndalimit të automjeteve.
“Policia e Shtetit falënderon qytetarët dhe median që denoncojnë raste të tilla, si dhe i siguron ata se është e vendosur për të larguar nga radhët e saj, cilindo punonjës që do të abuzojë me detyrën”, thuhej në reagimin e policisë.
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë
Në lidhje me një video të publikuar në portalin “JOQ”, në të cilën shfaqen 2 punonjës policie të filmuar nga një qytetar, të cilët dyshohet se gjatë ndalimit të automjeteve, mund të kenë përfituar në mënyrë të kundërligjshme, vlera monetare, ju sqarojmë se:
Menjëherë pas publikimit të kësaj video-je, është bërë identifikimi i 2 punonjësve të Policisë që shfaqen në të, konkretisht inspektor A. Ç. dhe inspektor K. Ll., punonjës të Patrullës së Përgjithshme të Stacionit të Policisë Shëngjin/Komisariati i Policisë Lezhë.
Të dy këta punonjës policie janë pezulluar menjëherë nga drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe ndaj tyre Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, ka nisur hetim administrativ, për shkelje të rëndë të procedurës standarde të punës.
Policia e Shtetit falënderon qytetarët dhe median që denoncojnë raste të tilla, si dhe i siguron ata se është e vendosur për të larguar nga radhët e saj, cilindo punonjës që do të abuzojë me detyrën.
Video: JOQ





