Ndahet nga jeta Presidenti i Parlamentit Evropian David Sassoli. Ai ka vdekur në moshën 65-vjeçare. Lajmin e hidhur e ka dhënë zëdhënësi i tij, përmes një postimi në rrjetet sociale.

Ish-gazetari italian dhe politikani i qendrës së majtë ishte i sëmurë rëndë për më shumë se dy javë dhe anuloi të gjitha aktivitetet zyrtare. Sassoli u shtrua në spital në Itali muajin e kaluar për shkak të një komplikacioni serioz me sistemin e tij imunitar.

Ai vdiq në orët e para të së martës në një spital në Aviano, njoftoi zëdhënësi i tij, Roberto Cuillo në Twitter, raporton BBC.

Sassoli u dërgua në spital në Strasburg, ku u trajtua për një rast të rëndë të pneumonisë. Ai rifilloi detyrat e tij politike në nëntor.

Një votim për të zgjedhur zëvendësuesin e tij ishte planifikuar tashmë për në fund të këtij muaji dhe z. Sassoli kishte thene se ai nuk do të kërkonte rizgjedhjen.

Ish-lexuesi i lajmeve televizive u bë president i Parlamentit Evropian me 705 vota në korrik 2019.

Roli i tij konsiderohet si një nga detyrat kryesore të bllokut të BE dhe përfshin kryesimin e seancave dhe mbikëqyrjen e aktiviteteve të parlamentit.

Ai mundi tre kandidatë të tjerë për këtë rol dhe në një fjalim pas fitores së tij ai bëri thirrje që BE-ja t’i kthehet shpirtit të etërve të saj themelues që këmbyen luftën dhe nacionalizmin për paqen dhe barazinë.