Sot në “Downing Street Parliament”, Londër, nga ora 11:00-14:00 do të mbahet një marshim për vdekjen e dy shqiptarëve Alfred Dosku dhe Leonard Farruku në qendrat e strehimit të emigrantëve.
Kjo protestë është njoftuar nga grupet e shqiptarëve që jetojnë në Londër, por ndihen të diskriminuar prej qeverisë britanike dhe rregullave të tyre për emigrantët.
Ata thonë se ky marshim është për të ngritur zërin ndaj padrejtësive që iu bëhen shqiptarëve dhe vdekjeve të rënda që kanë ndodhur brenda një muaji.
Shqiptarët thonë se Home Office, përgjegjëse për kampet e strehimit të emigrantëve, i ka lënë në terr informativ shqiptarët për ngjarjet tragjike të ndodhura së fundmi, pasi ende nuk dihet shkaku i vdekjes së tyre apo rrethanat e sakta.
Ata ftojnë dhe kërkojnë që të gjithë shqiptarët të bashkohen në këtë kauzë pasi nesër mund të qajnë sërish për vëllain, motrën, kushëririn, shokun që strehohet në kamp por mund të ketë fund tragjik.