39-vjeçari Altin Çoku ka dalë këtë të enjte para Gjykatës së Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë, i cili u arrestua pas vetëvrasjes së 27-vjeçares Sibela Abedinit, e cila u hodh nga tarraca e katit të katërt të pallatit ku banonte me qira. Ngjarja ndodhi rreth orës 23:00 të 10 shkurtit, në rrugën “Teuta” në Kamëz.
Nga hetimet e autoriteteve ka rezultuar se e reja e ka ndërmarrë aktin ekstrem, pasi i kishin shpërndarë një foto intime në rrjetin social Tik Tok. Policia vuri në pranga 39-vjeçarin Altin Çoku, si personin përgjegjës për shpërndarjen e asaj fotoje. Mbi të rëndon akuza për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”.
Altin Çoku ka dëshmuar para Gjykatës se rrjetin social Tik Tok nuk e përdor për gjëra të këqija, por “ha bukë me të si gjithë të tjerët”.
“Jam arrestuar në mënyrë të paligjshme sepse dihet kush e ka bërë. Foton e ka nxjerrë shtetasi A.H. Jam përdorues i Tik Tok si gjithë të tjerët. Nuk e përdor për gjëra të këqija, ha bukë me të si gjithë të tjerët”
Fillimisht autoritetet raportuan se e reja ishte rrëzuar nga tarraca e ballkonit, por më pas rezultoi se ngjarja nuk ishte aksidentale, por e nxitur pikërisht nga 39-vjeçari.
Policia e ka zbardhur ngjarjen pas dëshmive të familjarëve dhe kqyrjes së telefonit të viktimës. E ndjera i kishte kërkuar disa herë që të fshinte foton nga rrjeti social, por 39-vjeçari herë pretendonte se nuk e kishte publikuar vetë, ndërsa herë të tjera i kërkonte të vijonin lidhjen.
27-vjeçarja ka qenë e martuar me një shqiptar të Kosovës, me të cilin ka patur dhe një vajzë 2 vjeçe dhe ishte në proces divorci. Vajza jetonte me të atin. Gjatë kësaj kohe, ajo ishte njohur me Altin Çokun.