DURRËS – Dalin detaje të reja nga aksidenti tragjik i ndodhur në orët e para të mëngjesit në Manëz të Durrësit, ku humbën jetën tre persona dhe dy të tjerë mbetën të plagosur.
Viktimat janë 25-vjeçari Kleo Vrioni, 26-vjeçarja Sara Brugnatelli dhe 15-vjeçari Alvi Muhaxhiri. Sipas të dhënave të bëra publike, Vrioni dhe Brugnatelli ishin të sapomartuar.
Pamjet e siguruara nga aksidenti kanë ndihmuar ekspertët në rindërtimin e dinamikës së ngjarjes. Nga ekspertiza rezulton se automjeti, pak para aksidentit, lëvizte me një shpejtësi prej rreth 114 km/orë.
Në momentin e marrjes së kthesës, drejtuesi dyshohet se ka humbur kontrollin mbi automjetin. Fillimisht, goma e përparme në anën e pasagjerit ka goditur bordurën, duke shkaktuar humbjen e mëtejshme të stabilitetit të makinës.
Pas përplasjes me bordurën, automjeti është përmbysur dhe ka vijuar të rrëshqasë për rreth 40 metra, deri në momentin kur ka ndaluar.
Një tjetër element i rëndësishëm i hetimit lidhet me gjendjen e drejtuesit të automjetit. Analizat toksikologjike kanë konfirmuar praninë e alkoolit në organizmin e tij.
Ndërkohë, dy personat e plagosur nga aksidenti vijojnë të marrin trajtim mjekësor në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Pamjet e aksidentit, së bashku me rezultatet e ekspertizës, pritet të jenë pjesë e hetimit për përcaktimin e plotë të shkaqeve dhe përgjegjësive për tragjedinë.





