TIRANË- Gjykata e Posaçme ka dënuar me 3 vite burgim ish-kryetarin e Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, ku nga gjykimi i shkurtuar dënimi ulet në 2 vite.
Gjykata ka ndryshuar akuzën ndaj Gjicit nga korrupsion në shpërdorim detyre. Ndërkohë, për Alma Kaçin, gjykata ka dhënë dënimin me 1 vit burg, duke e shpallur fajtore atë për prostitucion. Ish-kryebashkiakut gjithashtu i hiqet edhe e drejta për të ushtruar funksione publike për pesë vite.
Gjici tha sot para gjykatës se kërkon pafajësi pasi nuk ka shkelur asnjë ligj. Teksa i kërkoi falje familjarëve të tij dhe banorëve të Kukësit, Gjici tha se nuk ka shkelur ligjin, por etikën. Ndërkohë edhe mbrojta e Gjicit insiston që Alma Kaci është paguar për të realizuar videon dhe po ashtu, ajo ka pasur komunikime me ish-kreun e këshillit të qarkut të Kukësit, Abedin Orucin në lidhje me çështjen e videos dhe kartën memorie që është bërë regjistrimi.
Safet Gjici u vu në pranga fillimisht i akuzuar për “korrupsion pasiv”, pasi dyshohet se ka favorizuar Alma Kaçin, duke i ofruar mbështetje financiare, me vendim të Këshillit Bashkiak, mbi një projekt për strehimin dhe kujdesin ndaj qenve endacakë në qytet. Vetë 40-vjeçarja ka pranuar se donte nga Gjici tenderin e qenve, ndërsa ish-kryebashkiaku ka thënë se nuk e ka shkelur ligjin.




