Zvicër- Një rast i pazakontë është zbuluar në Zvicër, ku dyshohet se një familje nga Kosova ka blerë vajza të mitura nga Shqipëria për shifrën e 300 eurove, me qëllim për t’i bërë partnere të djemve të tyre në të ardhmen.

Dyshohet se vajzat janë abuzuar dhe keqtrajtuar për 16 vite me radhë. Siç raporton prestigjiozja helvete, “Blick”, babai dhe katër djemtë do të dalin përpara gjykatës, nga e cila akuzohen për abuzim ndaj të miturve dhe vepra të tjera.

Thuhet se vjehrri ka sjellë vajza të mitura nga 14 deri 17 vjeç për t’i bërë gra të katër djemve. Për shumë vite vajzat ishin kthyer thuajse në skllave, pasi ato qëndronin gjithnjë në shtëpi, ku merreshin me punët e shtëpisë.

Gjatë gjithë kësaj kohe askush nuk e ka kuptuar se gjithçka bëhej pa dëshirën e vajzave. Viktima e parë u dërgua në Zvicër nga Shqipëria në vitin 2003. Ajo në atë kohë ishte 17 vjeç dhe e kishte parë burrin e saj të ardhshëm vetëm në foto.

Martesa dhe të gjitha detajet e tjera ishin dakordësuar nga prindërit e saj. Këtyre të fundit iu premtua se e reja do të bënte një jetë më të mirë në Zvicër dhe nuk do t’i mungonte asgjë. Një tjetër vajzë ishte 14 vjeç dhe jetonte në varfëri ekstreme.

Sipas hetuesve, prindërit e saj e shitën të renë për vetëm 300 euro. Albrim F., 65 vjeç, së bashku me djemtë dyshohet se kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike, si dhe i kanë kërcënuar me vdekje dhe izoluar.

“Më shumë se 20 herë e ka goditur me brez. Edhe pse ishte shtatzënë, ai e ka rrahur nusen deri sa i ka dalë gjak dhe i ka shtrënguar fytin me të dyja duart”, thuhet në aktakuzën e njërit prej të pandehurve.

Gratë rrallë lejoheshin të dilnin vetëm nga banesa dhe nuk kishin pothuajse asnjë kontakt me familjet e tyre. Avokati Dominic Nellen përfaqëson dy nga gratë në gjykatë dhe i ka shoqëruar për tre vjet. Për Nellen është e qartë, pas sjelljes çnjerëzore qëndron e drejta zakonore mesjetare shqiptare e kanunit dhe të gjitha fijet u bashkuan me kreun e klanit Albrim F.

“Është një klan i madh familjar me sundimtar patriarkal vjehrrin. Ishte në qendër, ai jepte urdhrat”, thotë avokati. Në vitin 2019, gratë më në fund arritën të arratiseshin, 16 vjet pasi viktima e parë u soll në Zvicër.