Vrasja e Liridona Murselit në Prishtinë dy netë më parë ka marrë kthesë tjetër.

Hetimet e policisë janë fokusuar te bashkëshorti i saj Naim Murseli.

Ai është arrestuar ditën e sotme, pasi dyshohet se ka orkestruar dhe është përfshirë në vrasjen e bashkëshortes së saj.

Ish-këshilltari i Behgjet Pacollit, deklaroi pas ngjarjes se kanë rënë pre e grabitjes dhe se ai arriti që të largonte fëmijët nga makina, përpara se grabitësit të qëllonin mbi 33-vjeçaren.

Ndërkohë në pranga ka rënë edhe autori i ngjarjes, Granit Plava.

Autori i vrasjes së Liridonës është bashkëfshatar i Naim Murselit dhe është paguar nga ai për të kryer ekzekutimin.

Plava ka pranuar veprën dhe ka deklaruar se Murseli i ka dhënë 30 mijë euro për ta kryer aktin e vrasjes.

Lidhur me arrestimet, ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu e cila tha se Naim Murseli ishte përpjekur të fshihte krimin e rëndë.

Behgjet Pacolli ka deklaruar se kushdo që qëndron pas vrasjes së 33-vjeçares duhet të dënohet maksimalisht.

Naim Murseli njihet si ish-këshilltar i Behgjet Pacollit dhe pjesë e stafit të kreut të Aleancës Kosova e Re.

Murseli në rrjete sociale ka reklamuar vazhdimishit jetesën luksoze që ka bërë në Suedi dhe Kosovë.

Të shumta janë edhe fotografitë e tij me Liridonën.

Ende nuk dihet shkaku pse ai pagoi dikë për të vrarë gruan e tij.