Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me ngjarjen e rëndë që tronditi mbrëmjen e sotme zonën e Kodër Kamzës, ku u vra me armë zjarri një 35-vjeçar, i identifikuar si Can Kariçi.
Ngjarja ndodhi rreth orës 19:56, në rrugën “Nikoll Vatnikaj” dhe dyshohet se i riu u ekzekutua me armë zjarri silenciator. Dyshohet se vrasja lidhet me atentatin ndaj dy të rinjve në Astir më 13 nëntor.
Sipas grupit të hetuesve, kjo lidhje bëhet për shkak të njohjes që i riu kishte pasur me dy viktimat, Eriges Mihasin dhe Armand Dumani, të cilët u vranë me breshëri armësh nga një automjet në lëvizje në zonën e Astirit.
Nga atentati mafioz në Astir mbetën të vrarë Erigers Mihasi 32 vjeç dhe shoku i tij, Armando Dumani 26 vjeç. Objektiv i këtij atentati ishte Mihasi.
Hetuesit kanë dalë në këtë përfundim pasi nga këqyrja që i është bërë mjetit nga ana e shoferit ka një sasi të konsiderueshme plumbash. Si pasojë e të shtënave të shumta ka marrë plumba edhe 26-vjeçari Dumani dhe të dy kanë humbur jetën në vend.
Raportohet se Mihasi po përgjohej nga Prokuroria, por ndaj tij, nuk kishte ende një akuzë zyrtare.
Mihasi ishte i dyshuar për vjedhje nën kërcënimin e armës të banesës së prindërve të Elton Çiços në Tepelenë. E po ashtu, dyshohej se ishte bashkëpunëtor në sulmin me armë ndaj kompleksit “Eiffel”.
Sakaq, Dumani dyshohet se është përfshirë në një grabitje në një bankë të nivelit të dytë.
Sa i përket autorëve, raportohet se ata e kanë ndjekur makinën për një kohë të gjatë dhe për të kryer ekzekutimin kanë pritur momentin ku janë gjendur në një zonë pa prani të kamerave të sigurisë.