Vetëm disa ditë para se të mbushet një vit nga vrasja e 19-vjeçarit grek Alkis Kampanos nga një grup huliganësh, ka filluar mëngjesin e së mërkurës gjyqi i autorëve të akuzuar për krimin.

Midis të pandehurve 4 janë me origjinë shqiptare, Aleksandro Gega, Gerald Kambo, Roxhers Demirazi dhe Afskendos Çarçiu.

Me pranga në duar të shoqëruar nga forca të shumta policore 12 të akuzuarit kanë hyrë në gjykatë nga dera e pasme dhe prindërit e 19-vjeçarit që kanë parë për herë të parë vrasësit e djalit të tyre nga afër, kanë kërkuar dënimin maksimal për ta.

12 të pandehurit përfaqësohen nga 20 avokatë mbrojtës, ndërsa në këtë gjyq do të dëshmojnë 26 dëshmitarë të palës akuzuese dhe 15 të mbrojtjes. 12 të pandehurit , janë anëtarë të së njëjtës shoqatë tifozësh të futbollit të PAOK-ut e njohur në Selanik jo vetëm për emrin, Porta 4, por edhe për aktet violente e brutale të tyre brenda dhe jashtë stadiumit.

Në më pak se 80 sekonda, të organizuar me 3 makina dhe mjete të forta e thika, kanë dalë pranë stadiumit të ekipit të Arisit të Selanikut dhe kanë sulmuar 19-vjeçarin pasi ai është përgjigjur se është tifoz i këtij ekipi.