ELBASAN- Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar masën e sigurisë arrest me burg për Sokol Mjacajn dhe 12 zyrtarët e ndaluar për vrasjen në burgun e Peqinit. Ditën e sotme është dorëzuar kërkesa në gjykatën e Elbasanit për vleftësimin e ndalimeve dhe caktimin e masës së sigurisë. Po ashtu bëhet me dije se Prokuroria kërkoi masën e arrestit me burg edhe për 12 zyrtarë të IEVP Peqin të cilët janë ndaluar në lidhje me rastin.
Sipas hetimeve, Sokol Mjacaj e ka mbajtur pistoletën brenda qelisë së tij për rreth 20 ditë gjatë kohës kur shef sigurie ka qenë Nikolin Gjonpali, ndërsa ende nuk dihet sesi ka arritur të fusë armën në ambientet e burgut. Ndaj tij, rëndojnë akuzat për veprat penale të “Vrasja në rrethana cilësuese” nga e cila një e mbetur në tentativë, “Mbajtja dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Ndërsa drejtori i burgut të Peqinit dhe 11 punonjës të zinxhirit të komandimit po hetohen për “Shpërdorim i detyrës” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim” të parashikuar nga nenet 79/dh, 278/1, 248 dhe 324/a/2 i K.Penal
Të ndaluarit:
Kamber Hoxha, drejtor i burgut Peqin
Qani Muça, shefi i policisë së burgut
Nikolin Gjonpalaj, ish shefi i policisë së burgut
Vilson Shima, shef i regjimit të burgut
Arben Dulellari, specialist informacioni
Fatos Pire
Ilir Balla
Florenc Mile
Genci Muça
Indrit Dubali
Klement Haka
Erjon Çela
Sokol Mjaçaj, i cili vuan dënimin me burgim të përjetshëm në burgun e sigurisë së lartë IEVP “Peqin”, ka qëlluar me armë zjarri ndaj të burgosurve Indrit Shaqja dhe Arben Lleshi këtë të premte. Mjaçaj është konfliktuar me dy të dënuar të tjerë, Arben Lleshin dhe Indrit Shaqjen. Lleshi nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra, ndërsa Shaqja është jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, i dënuari për vrasjen e dy të turistëve çekë mbajti peng nën kërcënimin e armës punonjësit e kuzhinës në institucionin e heqjes së lirisë, të cilët u liruan pas disa orësh me ndërhyrjen e forcave të shumta policore dhe Renea, që kanë vënë nën kontroll situatën.