Durrës
Parandalohet një ngjarje e mundshme kriminale.

Finalizohet nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Durrës, operacioni policor i koduar “Misioni”.
Arrestohen në flagrancë 3 shtetas, 2 prej tyre me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve ndaj personit dhe pronës, shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje.
Tre të ndaluarit dyshohet se do kryenin një vrasje, kundrejt pagesës.

Sekuestrohen 3 pistoleta me fishekë në fole dhe 1 mitraloz me fishekë në fole, gati për qitje, municion luftarak, vlera monetare dhe sende të tjera.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Durrës, në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë në qytet, kapjen e personave në kërkim ose atyre që disponojnë armë zjarri me vete, në bazë të informacioneve të siguruara nga strukturat e Komisariatit të Policisë Durrës, organizuan punën dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Misioni”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

Aldi Mustafa, 35 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, i dënuar më parë me 10 vite burg, në Gjermani;
Uran Zyka, 40 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Kanosja”. Të dy këta shtetas janë me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve ndaj personit.
Tahir Gjinika, 33 vjeç, banues në Durrës.

Këta shtetas qarkullonin në lagjen nr.15, Durrës, me mjetin tip “BMW”, me drejtues shtetasin Aldi Mustafa. Në momentin e ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, të tre shtetasit kanë tentuar të largohen duke goditur mjetin e shërbimit të Policisë dhe duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë që ishin në operacion, por nuk kanë mundur dot pasi janë bllokuar nga mjete dhe shërbime të tjera të Policisë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet u gjetën: 3 armë zjarri pistoletë me fishekë në fole, 1 armë zjarri mitraloz me fishekë në fole gati për qitje, municion luftarak, 2 laptopë, 9 telefona celularë dhe 1600 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin.
Strukturat hetimore të Policisë, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijojnë intensivisht punën hetimore për zbardhjen e plotë të këtij rasti.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”.