Elbasan, 20 Shkurt 2025 – Xhamia e Ballies në Elbasan është shpallur fituese e çmimit ndërkombëtar si ndërtesa më e bukur në botë për vitin 2025, në kategorinë e objekteve të kultit.

Kjo xhami ka një sipërfaqe prej rreth 1900 metra katrorë dhe është e ndarë në katër kate. Përveç vendit të faljes, ndërtesa përfshin sallat e konferencave dhe zyrat e stafit të Myftinisë së Elbasanit. Xhamia është një shembull i shkëlqyer i një dizajni inovativ që kombinon mjeshtërisht traditën islame me elemente moderne, duke krijuar një hapësirë të frymëzuar dhe të veçantë për besimtarët dhe vizitorët.

Arkitektura e saj paraqet një qasje të avancuar në ndërtimin e objekteve të kultit, duke ruajtur vlerat dhe identitetin kulturor të qytetit, ndërkohë që përmbush kërkesat e estetikës bashkëkohore. Me një dizajn të tillë, Xhamia e Ballies është bërë një simbol i Elbasanit, duke pasur një ndikim të madh në komunitet.

Objekti ka një histori të pasur, pasi u ndërtua për herë të parë në vitin 1608 nga Hasan Balliu, dhe ka përjetuar shumë ndryshime, përfshirë prishjen e saj nga regjimi komunist në 1967. Xhamia është e njohur edhe si “xhamia blu” për bukurinë dhe madhështinë që ka pasur, sidomos minarenë e saj, e cila ka pasur një model dekorativ origjinal që ishte i veçantë për kohën. Pas shumë vitesh, Xhamia e Ballies është ringritur në një version të ri dhe më madhështor, duke ruajtur dhe përforcuar identitetin e saj.

Dizajni modern përfshin salla për abdes, një hapësirë për faljen e grave dhe një ambient për faljen e burrave, me një kapacitet prej 1500 besimtarësh vetëm brenda, por edhe me hapësirë të mjaftueshme jashtë. Xhamia ka arritur të përfshijë elemente moderne pa humbur traditën e saj.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka përshëndetur këtë vlerësim ndërkombëtar, duke e quajtur Xhaminë e Ballies si një simbol të kulturës dhe arkitekturës shqiptare.

“Urime për Xhaminë e Ballies – Fituesja e Çmimit Ndërkombëtar për Arkitekturën më të Bukur në botë, në konkursin ndërkombëtar ‘Building of the Year 2025’,” ka thënë Begaj.

Xhamia e Ballies vazhdon të jetë një pikë e rëndësishme dhe një krenari për qytetin e Elbasanit dhe për gjithë Shqipërinë.

Fotogaleri nga Besart Cani.