Të jesh i lirë, të ekzistosh, pavarësisht sëmundjes. Kjo ishte dëshira e Gerta Allushit, një studente tetëmbëdhjetëvjeçare shqiptare që jetonte në Pordenone, Itali. Ajo ndërroi jetë pas betejës së vështirë me kancerin.

Me origjinë shqiptare, e lindur në Itali, ajo banonte me nënën e saj, Almën, babain Arben dhe motrën e saj , Ana. E reja ndërroi jetë në spitalin “Burlo Garofolo” në Trieste. Deri në ditën e fundit ajo luftoi kundër sëmundjes dhe mbrojti zgjedhjen e saj pavarësisht sëmundjes: të shkonte në shkollë, të studionte e të mos dorëzohej.

Në vitin 2018 Gerta zbuloi se ishte e sëmurë, kështu që nisi rrugëtimi i saj i mjekimit, i cili megjithatë nuk e privoi kurrë nga jeta e përditshme, duke filluar nga shkolla. Mori pjesë edhe në projekte të ndryshme me pacientë të tjerë të “Zonës Rinore” të qendrës së referencës onkologjike të Aviano-s. Madje, ata kujtojnë dhe një letër që e reja shqiptare u kishte shkruar ku përshkonte ndjesinë e sfidat e saj në përballimin e gjendjes shëndetësore.

“E dashur Olivia, një gjë për të cilën familja ime dhe të dashurit më kanë qortuar shpesh, por për të cilën jam lavdëruar në të njëjtën kohë, është fakti që vazhdova të studioja dhe bëja atë që kam bërë gjithmonë, në çdo moment të sëmundjes sime , edhe në ato më të vështirat. Gjithmonë mendoja se ishte e vetmja zgjedhje që kisha, nga ana tjetër thosha me vete ‘unë jam adoleshente çfarë të bëj tjetër’…nuk doja në asnjë mënyrë për t’u ndjerë ndryshe, apo edhe thjesht për t’u parë si vajza e sëmurë, edhe sikur të isha. Tani që e mendoj – vazhdon ajo – shumë mirë mund të kisha lënë gjithçka në pauzë, edhe sepse kisha mjaftueshëm për të menduar dhe vuajtur. Por, çfarë kuptimi do të kishte? Dhe kështu vazhdova të bëja jetën time të zakonshme, të studioja, të takohesha me miqtë e mi, të pranoja të gjitha propozimet e biznesit që më ofroheshin, ndonëse me disa kufizime”.

“Po të mos kisha bërë kështu, do të kisha privuar veten nga kaq shumë momente, njohuri dhe eksperienca që më kanë ndryshuar si person dhe vizionin tim për gjërat. Kështu që mendoj se një zgjedhje që bëra, më lejoi të isha e lirë, ishte me të vërtetë të vendosja të jetoja jetën që do të kisha jetuar nëse nuk do të isha sëmurë dhe të parandaloja sëmundjen që të më impononte të vetja.Po lexoja historinë tënde, kuptova se edhe e imja kishte qenë një zgjedhje. Ju kur u mbyllët në shtëpi pas incidentit dhe, pavarësisht kësaj, vendosët të ktheheshit në studimet tuaja, ia vlente. Vendosa të jem e lirë, të ekzistoj dhe të jetoj pa marrë parasysh sëmundjen”./ToddayCitta.it