Alban Bejleri
Nëna e mësuesit Alban Bejleri ka reaguar me një mesazh në rrjetet sociale, ku zbulon edhe detaje të rëndësishme mbi jetën dhe sakrificat e të birit.

Ajo shkruan se 52-vjeçari kishte punuar për rreth 6 vite si mësues në zonat më të thella të bashkisë Maliq, fillimisht në Gribec dhe më pas në Marjan, pa u ankuar asnjëherë për vështirësitë.

Mësuesi ndërroi jetë pas përfundimit të mësimit, familjarët: Nuk e lanë të punonte në qytetin e lindjes sepse ishte demokrat!
Nëna e tij, Qazime Bejleri, përmes një postimi në llogarinë e saj në rrejtin social “Facebook” ka bërë një dedikim shumë prekës për të birin e ndjerë, zemërthyer ajo shkruan: “Na hape një plagë të madhe o Alban , o gojë ëmbli me të gjithë , që nuk do na mbyllet kurrë , kurrë o zemra ,o shpirti ,o trimi jonë o mbreti ynë ALBAN, emri më i bukuri në botë ! Po pse o zot na e more djalin e vetëm”

Më tej ajo shkruan se ai nuk ankohej kurrë nga rruga e gjatë që bënte për të shkuar te nxënësit e tij, dhe pavarësisht kushteve të motit kurrë nuk e la punën: “Po ti na le me kokë mënjanë o shpirti im,më le dy djemtë të vegjël dhe Rinën, që të deshën shumë ,e le motrën tënde që nuk rresht së qari,niprat mbetën pa dajë Klejdisi e Paolon mbetën pa dajë që mi deshe e të deshën shumë !O zemra jonë i shtrenjti ynë ,po ne e dinim se të donim vetëm ne, po ty të paskan dashur, të gjithë ,miqësia ,shoqëria i gjithë Devolli,kudo që ishin ,nga i gjithë vendi kanë shkruar për ty o trimi jonë ,për vlerat e punën tënde fisnike ,që më re në kry të detyrës afër shkollës,vajte dhe nuk u ktheve më”.

Në përfundim të statusit të saj ajo falenderon të gjithë ata që e kanë ngushëlluar gjatë kësaj periudhe të vështirë të familjes së saj.

Me rreth tre dekada përvojë në arsim dhe pesë vitet e fundit të përkushtuara në këtë zonë të thellë, profesor Albani jepte mësim për një numër shumë të vogël nxënësish, ndonjëherë vetëm dy apo tre. Por për të, numri nuk kishte rëndësi pasi çdo nxënës ishte një botë më vete dhe kishte rëndësinë e tij.

I rritur në një familje mësuesish, ai trashëgoi dashurinë për dijen dhe respektin për arsimin. Edhe pse prej vitesh vuante nga diabeti, nuk u ndal asnjëherë.

Nuk u ankua e nuk bëri “naze”, përkundrazi, vazhdoi të ecte çdo ditë në të njëjtën rrugë të gjatë, i bindur se detyra e tij ishte më e madhe se lodhja apo sëmundja.

Profesor Albani la pas bashkëshorten e tij Blerinën, gjithashtu mësuese, dhe dy fëmijët e tyre.

Familjarët tregojnë se ai kishte bërë dhjetëra kërkesa për t’u transferuar më pranë qytetit apo në fshatra më të aksesueshëm, por ato mbetën pa përgjigje.

Ai vazhdoi të shkonte aty ku ishte caktuar, duke mos e braktisur asnjëherë detyrën.