Këta janë babë e bir Shefki dhe Hamdi Bylykbashi nga fshati Zvezdë i Maliqit. 77-vjeçari vrau djalin e tij me çekiç ditën e djeshme pas një konflikti të fortë mes tyre.
Hamdi Bylykbashi ishte ndarë prej disa kohësh nga gruaja dhe pas kësaj ishte kthyer në përdorues të pijeve alkoolike.
Banorët kanë thënë se ai jetonte në Gjermani bashkë me familjen, por ishte kthyer pak kohë më parë pas disa mosmarrëveshjeve.
“Jetonte në Gjermani bashkë me familjen dhe ka pak kohë që është kthyer. Mosmarrëveshjet me familjen e tij kanë bërë që të kthehet në vendlindje.
Kishte 3 fëmijë. Nuk kishin konflikte me parë”, ka thënë një banor.

Hamdi Bylykbashi
Vdekja e 50-vjeçarit ditën e djeshme në Maliq është zbardhur. Fillimisht ngjarja u raportua si një ngjarje aksidentale, ku 50-vjeçari Hamdi Bylykbashi i dehur ishte rrëzuar dhe për shkak të dëmtimeve kishte vdekur. Por bëhet me dije se 50-vjeçari në gjendje të dehur pasditen djeshme ishte konfliktuar me babain e tij, 77-vjeçarin Shefki Bylykbashi të cilin kishte tëntuar ta hidhte në një pus. Por i moshuari kishte marrë një çekiç dhe e qëlloi djali disa herë në kokë dhe si pasojë e dëmtimit të rëndë, 50-vjeçari humbi jetën rrugës për në spital.

Sheflki Bylykbashi
Njoftimi i Policisë:
Maliq/U raportua fillimisht si ngjarje aksidentale, por pas hetimeve të thelluara nga grupi hetimor zbardhet ngjarja e ndodhur pasditen e djeshme, në fshatin Zvezdë, ku humbi jetën 50-vjeçari H. B. Vihet në pranga babai i viktimës, autor i dyshuar i vrasjes (me sende të forta) të djalit të tij. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, pasditen e djeshme, pas marrjes së njoftimit se në spitalin e Korçës, ishte sjellë i pajetë shtetasi H. B., 50 vjeç, banues në fshatin Zvezdë, Maliq, menjëherë kanë shkuar në spital dhe në vendngjarje, me qëllim verifikimin e rastit.
Fillimisht familjarët e tij kanë deklaruar se 50-vjeçari, duke qenë në gjendje të dehur, ishte rrëzuar aksidentalisht në banesën e tij dhe për pasojë kishte marrë dëmtime në kokë. Pas hetimeve të thelluara të kryera nga grupi hetimor i përbërë nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatin e Policisë Maliq dhe specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, u bë e mundur zbardhja e plotë e rrethanave të kësaj ngjarjeje. Nga hetimet e thelluara dhe provat e siguruara rezultoi se pasditen e djeshme, 50-vjeçari duke qenë në gjendje të dehur, është konfliktuar në banesë me babain Sh. B., 77 vjeç, të cilin ka dashur t’a hedhë në pusin e ujit në oborr.
Më pas 77-vjeçari, e ka goditur disa herë në kokë me mjete të forta (çekiç që përdoret për të thyer gurë), ku si pasojë e dëmtimit të rëndë, 50-vjeçari ka humbur jetën gjatë transportimit për në spitalin e Korçës. Në vijim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Sh. B., 77 vjeç, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.





