TIRANË- Alda Klosi, ish-zyrtarja që është vënë në pranga dhe po hetohet për pastrim parash, fshehje pasurie dhe deklarimit të rremë para oficerit të policisë gjyqësore, këmbëngul se nuk ka asnjë lidhje me paratë që iu gjetën në tubin e aspiratorit të pastrueses Rozeta Dobi. Klodiana Lala shkruan se të enjten e 16 shkurtit, oficerët e policisë gjyqësore zbarkuan në ambientet e burgut 325 në Ali Demi për të marrë dëshminë e parë pas arrestimit të Alda Klosit.
Por, ish-zyrtarja e lartë e kryeministrisë ka vendosur t’i qëndrojë besnike versionit të saj të mëhershëm, se në shtëpinë e saj janë vjedhur 120 mijë euro 30 mijë dollarë e disa bizhuteri, ndërsa dyshimet thotë se i kishte të pastruesja Rozeta Dobi.
“Burimet thanë se ajo iu tha hetuesve se paratë janë të xhaxhait të saj, përkundër kontradiktave që ka me rrëfimin e të vëllait. Ndërsa, këmbëngul se shuma prej 404 mijë eurosh dhe 8500 dollarë që u zbuluan në tubin e aspirimit në shtëpinë e pastrueses nuk i përket asaj, pasi nuk ka disponuar asnjëherë shuma të tilla,”- thuhet në raportimin e Lalës.
Ndërkohë, pastruesja ka rrëfyer se paratë janë të ish zyrtares së lartë dhe se ajo ia la t’i ruante e në bashkëpunim me të inskenuan vjedhjen, me qëllim që Alda Klosi të akuzonte ish-burrin e saj, me të cilin kishte përplasje.
Dëshmitë e dy grave janë tërësisht të kundërta ndaj prokuroria ka thelluar hetimet. Klosi pritet të përballet të hënën me gjykatën e Apelit të Juridiksionit të përgjithshëm, ku synon një masë më te lehtë sigurie.





