Në vitin 2024, gati 1.2 milionë persona fituan shtetësinë e një vendi të Bashkimit Evropian, duke shënuar një rritje prej 11.6% krahasuar me vitin 2023.
Të dhënat e publikuara nga Eurostat tregojnë një trend në rritje të natyralizimeve në BE, me një rritje prej 54.5% krahasuar me vitin 2014.
Në këtë panoramë, shqiptarët renditen ndër përfituesit kryesorë të shtetësisë evropiane.
Rreth 48 mijë shtetas nga Shqipëria morën shtetësi në një vend të BE-së gjatë vitit 2024, duke u pozicionuar në vendin e tretë, pas shtetasve nga Siria (110 mijë e 100) dhe Maroku (97 mijë e 100).
Shifrat konfirmojnë vazhdimësinë e një prirjeje të fortë emigracioni dhe integrimi të shqiptarëve në vendet e BE-së, kryesisht në Italia, Greqia dhe Gjermania, ku komunitetet shqiptare janë ndër më të mëdhatë.
Sipas raportit, pjesa më e madhe e shqiptarëve që kanë përfituar shtetësi janë natyralizuar në Itali (65.9%) dhe Greqi (22.3%), duke konfirmuar lidhjet e forta migratore dhe integrimin e tyre në këto vende.
Në nivel të përgjithshëm, shumica dërrmuese e shtetësive të reja (88%) iu dhanë qytetarëve nga vende jashtë BE-së, ndërsa vetëm 10.6% përfituan qytetarë nga vende të tjera të unionit.
Sa i përket vendeve që dhanë më shumë shtetësi, në krye renditet Gjermania me 288 mijë e 700 shtetësi (24.5% e totalit), e ndjekur nga Spanja me 252 mijë e 500 (21.4%), Italia me 217 mijë e 400 (18.5%), Franca me 103 700 dhe Suedia me 63 mijë.
Rritja më e madhe në terma absolutë është shënuar në Gjermania, ku 88 mijë e 900 persona më shumë morën shtetësi krahasuar me një vit më parë, e ndjekur nga Spanja dhe Franca. Në të kundërt, rënie janë regjistruar në Rumania dhe Suedia.
Norma e natyralizimit në BE për vitin 2024 ishte mesatarisht 2.7 shtetësi për çdo 100 banorë jo-shtetas. Suedia kryeson me 7.5, e ndjekur nga Italia (4.1) dhe Spanja dhe Holanda (nga 3.9 secila). Normat më të ulëta u regjistruan në Lituania, Bullgaria dhe Estonia.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se mosha mesatare e personave që morën shtetësi ishte 31.7 vjeç, ndërsa shumica e përfituesve janë të rinj: 37.4% nën 25 vjeç dhe 43% në grupmoshën 25-44 vjeç. Femrat përbënin një pjesë pak më të madhe të përfituesve (50.9%) krahasuar me meshkujt.
Këto statistika nënvizojnë nivelin e lartë të integrimit të shqiptarëve në shoqëritë europiane, të reflektuar në marrjen e shtetësisë së vendeve pritëse.
